Çdo vit, më 4 dhjetor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Bankave’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të vlerësuar rolin thelbësor të institucioneve bankare në mbështetjen e zhvillimit ekonomik, stabilitetit financiar dhe uljes së varfërisë në mbarë botën.
Kjo ditë synon të theksojë rëndësinë që kanë bankat, si ato kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare në promovimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare, duke ofruar shërbime që nxisin investime, tregti dhe përfshirje financiare për të gjithë qytetarët. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bankat luajnë një rol kyç në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), duke ndihmuar vendet të forcojnë ekonomitë e tyre dhe të krijojnë një sistem më të drejtë financiar për të gjithë.







