Më 9 nëntor, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjiten në skenën e Republic Hall në Maltë, me një koncert të veçantë që do të bashkojë muzikën korale dhe atë simfonike në një mbrëmje të dedikuar artit dhe kulturës. Ky koncert do të paraqesë repertorin e përzgjedhur të muzikës klasike evropiane dhe kompozimeve bashkëkohore, duke theksuar profesionalizmin dhe nivelin artistik të institucioneve kulturore të Kosovës. Nën drejtimin e dirigjentit të Filharmonisë, orkestra dhe kori do të interpretojnë pjesë të njohura nga kompozitorë ndërkombëtarë, si edhe krijime të autorëve vendas që përfaqësojnë identitetin kulturor të vendit.
Performanca në “Republic Hall” në Maltë, pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në promovimin e muzikës klasike kosovare në skenën ndërkombëtare dhe të forcojë lidhjet kulturore midis Kosovës dhe Maltës.
Filharmonia e Kosovës, e themeluar në vitin 2000, është institucioni më i lartë profesional i muzikës klasike në vend, duke përfshirë orkestrën simfonike dhe korin e saj zyrtar. Me turne të shumta nëpër Evropë dhe bashkëpunime me artistë të njohur, ajo ka dëshmuar rritje të vazhdueshme artistike dhe një përkushtim të thellë ndaj artit muzikor.







