Në një kohë kur sfidat emocionale, stresi, ankthi dhe depresioni po prekin miliona njerëz në mbarë botën, kujdesi për shëndetin mendor bëhet më i rëndësishëm se kurrë. Prandaj, sot, më 10 tetor, bota shënon “Ditën Botërore të Shëndetit Mendor”, një ditë e dedikuar për ndërgjegjësimin, edukimin dhe veprimin për përmirësimin e shëndetit mendor për të gjithë.
Kjo ditë synon të thyejë stigmat dhe të inkurajojë hapjen, mbështetjen dhe investimin në shërbime të qasshme për çdo individ, pa dallim. Organizatat shëndetësore, institucionet arsimore, kompanitë dhe komunitetet sot kryesisht organizojnë aktivitete të ndryshme informuese, seminare, takime me profesionistë dhe fushata ndërgjegjësuese për të rritur rëndësinë e shëndetit mendor, si pjesë thelbësore e mirëqenies sonë të përgjithshme.
Le të jemi zëri që thyen heshtjen, dora që ofron mbështetje dhe komuniteti që frymëzon shpresë. Sot dhe çdo ditë, të kujdesemi për njëri-tjetrin, sepse shëndeti mendor na përket të gjithëve.