Atmosfera festive e Halloween-it veçse ka filluar të ndihet para disa ditëve në mbarë globin, mirëpo pikërisht sot, me 31 tetor, fëmijë dhe të rritur janë përgatitur për festën me kostume kreative, zbukurime të frikshme për të kremtuar Halloween-in. Origjina e Halloween-it besohet që është 2000 vite e vjetër dhe lidhet me një festival të lashtë kelte të quajtur Samhain, e cila festohej në Irlandë, Skoci dhe në zonat përreth. Besohet që ishte një festë që shënonte fundin e verës dhe fillimin e dimrit dhe keltët besonin se më 31 tetor, perdja mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve hapej dhe shpirtrat ktheheshin në tokë. Që nga atëherë e viteve më pas, veshjet e ‘frikshme’ janë bërë simbol i shënimit të kësaj dite bashkë me kungullin, i cili ka zëvendësuar rrepën, që dikur ishte simbol i festës së Halloween-it. Pas Krishtlindjeve, Halloween gjeneron më shumë të ardhura në SHBA, me miliarda dollarë të shpenzuara për kostume, dekorime dhe ëmbëlsira.
Nëse nuk e keni ditur, ka njerëz që kanë fobi gjatë festës së Halloween-it dhe kjo fobi njihet si “Samhainophobia” dhe gjatë kësaj feste, këta persona nuk dalin fare jashtë shtëpisë.
Për ju që e festoni, gëzuar Halloween!







