Tetori njihet si ‘Muaj i Ndërgjegjësimit për Disleksinë’. Kjo periudhë është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi disleksinë, një vështirësi e përhershme në të lexuar dhe të shkruar, që prek miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë fëmijët dhe të rriturit.
Disleksia është një çrregullim specifik i të nxënit, i cili shfaqet kryesisht si vështirësi në lexim, shkrim dhe shpesh edhe drejtshkrim. Nuk lidhet me nivelin e inteligjencës apo dëshirën për të mësuar, por me mënyrën se si truri përpunon gjuhën e shkruar. Personat me disleksi mund të hasin sfida të mëdha në shkollë ose në punë, por me mbështetjen e duhur, ata mund të arrijnë rezultate të shkëlqyera.
Njerëz të suksesshëm dhe me famë botërore, përfshirë Albert Einstein, Steven Spielberg, Steve Jobs, Leonardo da Vinci, Galileo Galilei, Beethoven, Walt Disney, John Lennon, Pablo Picasso, Winston Churchill, JF Kennedy, Anthony Hopkins, Tom Cruise, Keanu Reeves, Cher, Jennifer Aniston, Salma Hayek, Whoopi Goldberg dhe shumë e shumë figura model, ishin dislektik.
‘Muaji i Ndërgjegjësimit për Disleksinë’ nuk është vetëm për të folur mbi sfidat, por edhe për të festuar talentet dhe potencialin e njerëzve me disleksi. Është një thirrje që të shohim përtej vështirësive dhe të njohim aftësitë unike që secili njeri mund të sjell. Duke krijuar një kulturë mirëkuptimi dhe mbështetjeje, ne jo vetëm ndihmojmë individët me disleksi të arrijnë sukses, por gjithashtu pasurojmë të gjithë shoqërinë me diversitetin e mendimeve dhe ideve të tyre.