Sot, në mbarë botën shënohet ‘Dita Botërore e Goditjes në Tru’, një ditë ndërgjegjësimi për një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë dhe paaftësisë afatgjatë në botë. Me moton e këtij viti “Shpejtësia e kontrolleve shëndetësore shpëton jetë”, organizatat shëndetësore dhe komunitetet mjekësore theksojnë rëndësinë e reagimit të shpejtë ndaj shenjave të para të një goditjeje në tru.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit mbi 12 milionë njerëz përjetojnë një goditje në tru dhe më shumë se 6.5 milionë humbin jetën. Shumë nga këto raste mund të parandalohen ose të trajtohen në kohë, nëse simptomat njihen dhe ndihma kërkohet menjëherë.
Në këtë ditë, profesionistët e shëndetësisë bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta shëndetësore, menaxhim të mirë të tensionit të gjakut, diabetit, kolesterolit si dhe kërkohet për një stil jetese të shëndetshëm që përfshin aktivitet fizik, ushqim të ekuilibruar dhe shmangie të duhanit dhe alkoolit.







