Mirëqenia e kafshëve dhe shëndeti i planetit tonë janë të pandashëm, që nga shkatërrimi i habitateve dhe humbja e biodiversitetit, deri te ndotja dhe bujqësia industriale, mënyra se si i trajtojmë kafshët ndikon drejtpërdrejt në mjedisin tonë.
Prandaj, çdo vit, më 4 tetor, njerëzit në të gjithë botën bashkohen për të shënuar “Ditën Botërore të Kafshëve”, një iniciativë kjo ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë veprimet konkrete në mbrojtje të kafshëve. Kjo datë përkon me ditëlindjen e Shën Françeskut të Asizit, i njohur si mbrojtësi i kafshëve dhe natyrës. Ai besohej se i trajtonte të gjitha krijesat e gjalla me dashuri dhe respekt, një filozofi që rezonon fort me mesazhin e kësaj dite.
Edhe pse sfidat në trajtimin e kafshëve janë të shumta, vitet e fundit edhe në vendin tonë ka pasur përparime të dukshme. Fushata sensibilizuese për sterilizimin e kafshëve endacake, ligje më të ashpra për mbrojtjen e tyre si dhe rritja e numrit të organizatave për të drejtat e kafshëve, janë disa nga hapat pozitivë në mbrojtjen e tyre.