Berberët nuk janë vetëm profesionistë, por artistë që përmes kreativitetit të tyre lënë gjurmë në jetën e përditshme, andaj një ditë në kalendarë ju është ndarë edhe atyre. ‘Dita Botërore e Berberëve” është themeluar në 2015, si një lëvizje globale bamirësi për të mbështetur fëmijët në nevojë, ku të ardhurat e mbledhura gjatë kësaj dite i dhurohen UNICEF-it apo organizatave që ndihmojnë fëmijët. Iniciatorë të themelimit të kësaj dite, ishin vëllezërit Hugh & Conor McAllister nga Irlanda, të cilët përmes linjës “Grafton Barber”, u dërguan ndihma të shumta fëmijëve në nevojë.
Dikur berberët mesjetarë kishin rol shumë më të gjerë se prerja e flokëve, ata nxirrnin dhëmbë, qepnin dhe shëronin plagë dhe kryenin edhe procedura të tjera mjekësore. Sot, berberët konsiderohen artistë të stilit të flokëve, këshilltarë emocionalë dhe njihen si figura të rëndësishme komunitare. Prandaj, sot në nderim të punës së tyre, çdo 16 shtator, bota feston “Ditën Botërore të Berberëve”, një ditë kushtuar mjeshtërve të stilit që transformojnë pamjen dhe vetëbesimin e klientëve me secilën prerje dhe stilim.
Në shërbim të bukurisë dhe solidaritetit, berberët sot mund të organizojnë evente lokale apo të ofrojnë prerje falas për komunitetet në nevojë. Kjo ditë është edhe një mundësi për të vlerësuar punën, krijimtarinë dhe ndikimin e berberëve në kulturën e stilit global, duke bërë që çdo prerje të shndërrohet në një eksperiencë artistike.







