Shumë njerëz në botë përballen me pasoja të rënda, madje edhe fatale, për shkak të gabimeve në trajtim, diagnozë të pasaktë, përdorim të gabuar të barnave ose mungesës së standardeve të sigurisë në spitale dhe qendra shëndetësore. Fëmijët dhe të porsalindurit janë veçanërisht të prekur ndaj gabimeve mjekësore.
Andaj, për të rritur sigurinë e pacientëve dhe ndërgjegjësimin për sigurinë e tyre, çdo vit, më 17 shtator, bota ndalet për të reflektuar mbi një nga shtyllat më thelbësore të sistemit shëndetësor, sigurinë e pacientit. Kjo ditë shërben si një thirrje e përbashkët për vetëdijesim, bashkëpunim dhe veprim global, me qëllimin e përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë në kujdesin shëndetësor për të gjithë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për veprim të menjëhershëm për të eliminuar dëmet e shmangshme, që shkaktohen nga pakujdesia në shërbimet e pediatrisë dhe shërbimet neonatale.
“Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit” nuk është thjesht një datë në kalendar, është një thirrje globale për veprim, që ka në qendër njeriun, jetën dhe dinjitetin e çdo pacienti, veçanërisht ata që janë më të brishtë, të porsalindurit dhe fëmijët.







