Çdo vit, më 25 shtator, shënohet ‘Dita Botërore e Farmacistëve’, një ditë e cila vë në pah rolin thelbësor që kanë farmacistët në sistemin shëndetësor dhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo ditë u shpall nga Federata Ndërkombëtare Farmaceutike (FIP), për të rritur ndërgjegjësimin mbi kontributin që farmacistët ofrojnë në kujdesin për pacientët, edukimin shëndetësor dhe sigurimin e barnave të duhura.
Edhe në Kosovë, farmacistët janë pjesë e pandashme e shëndetësisë, duke kontribuar jo vetëm nëpër farmaci, por edhe në spitale, qendra shëndetësore dhe fusha të tjera të kujdesit mjekësor. Gjatë situatave të jashtëzakonshme siç ishte pandemia COVID-19, farmacistët ishin ndër të parët që mbetën në vijën e parë, duke shërbyer komunitetet me profesionalizëm. Kjo ditë është një kujtesë për sakrificat dhe përkushtimin e tyre dhe shënimi i kësaj dite motivon edhe studentët e farmacisë dhe i bën ata të ndihen krenarë për profesionin që kanë zgjedhur.







