Shtresa e ozonit vepron si një mburojë natyrore që mbron Tokën nga rrezatimi i dëmshëm ultraviolet i diellit. Falë marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar në vitin 1987, të njohur si Protokolli i Montrealit, bota ka arritur rezultate të mëdha në reduktimin e përdorimit të kimikateve që e dëmtojnë ozonin. Sot, me 16 shtator, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare për Ruajtjen e Shtresës së Ozonit’, e cila është shpallur nga Kombet e Bashkuara për të kujtuar rëndësinë e mbrojtjes së kësaj shtrese jetike për planetin tonë.
Sipas të dhënave të OKB-së, shtresa e ozonit është duke u rikuperuar gradualisht dhe pritet që të kthehet në nivelet e viteve të ’80-ta, brenda disa dekadave të ardhshme, nëse respektohen masat e marra.
Kjo ditë shërben si një thirrje për reflektim dhe veprim, ku çdo individ, institucion dhe qeveri ka përgjegjësi në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e shtresës së ozonit, duke përdorur produkte të qëndrueshme dhe duke shmangur ndotjen.







