Edhe kjo javë ka sjell shumë zhvillime nga fusha e teknologjisë, me bashkëpunime të pa pritshme. Apple dhe Samsung po bashkojnë forcat për të prodhuar sensorë të avancuar kamerash për serinë iPhone 18, duke përdorur një teknologji të re me tre shtresa, për cilësi më të mirë imazhi dhe efikasitet energjie. Prodhimi do të bëhet në një fabrikë në Teksas, si pjesë e strategjisë së Apple për të rritur prodhimin në SHBA dhe për të shmangur tarifat në Azi.
Këtë javë kishim edhe një lajm fantastik që erdhi falë bashkëpunimit ndërmjet teknologjisë e shëndetësisë. Shkencëtarët japonezë kanë zhvilluar një ilaç që bllokon proteinën USAG-1 dhe riaktivizon ‘sythat e fjetur’ të dhëmbëve, duke lejuar rritjen e dhëmbëve të rinj tek minjtë. Pikërisht këtë vit, pritet të fillojnë provat klinike tek njerëzit, duke hapur mundësinë që humbja e dhëmbëve të zëvendësohet me rritjen natyrale të tyre, në vend të implantimeve apo protezave.
Ndërkohë një lajm befasues na erdhi nga Kina, ku shkencëtarët kinezë kanë përdorur qeliza burimore të ri-programuara me rezistencë ndaj plakjes (SRCs), për të rikthyer vitalitetin tek majmunët e moshuar. Pas një trajtimi 44-javor, u vërejtën përmirësime të funksioneve kognitive, reduktim i inflamacionit, rigjenerim i indeve dhe rinovim biologjik nga 5 deri në 7 vite. Studimi sugjeron potencial për zhvillimin e terapive anti-plakje edhe tek njerëzit.







