Edhe kjo javë na solli shumëçka nga teknologjia. I fillojmë të rejat me Samsung, kompani kjo e cila pritet të prezantojë së shpejti modelin Galaxy S25 FE, me një përmirësim modest krahasuar me paraardhësin e tij. Telefoni do të ketë 8 GB RAM dhe 128/256 GB memorie të brendshme. Kamera e pasme do të ketë tri lente, përfshirë një lente 50 MP dhe një telefoto me zmadhim optik 3X. Pajisja vjen me Android 16 si dhe është rezistente ndaj ujit e pluhurit (IP68). Edhe robotika ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë, ku kompania amerikane Aescape, ka krijuar robotin e parë në botë të mundësuar me inteligjencë artificiale që mund të kryej masazhë. Roboti përdor sensorë 3D dhe mbi një milion pika të dhënash për të analizuar trupin dhe për të ofruar masazh të personalizuar me presion dhe temperaturë të përshtatur. Klienti vesh një kostum të veçantë dhe mund të përjetojë deri në shtatë teknika masazhi.
Këtë javë kemi edhe lajme befasuese nga fusha e teknologjisë. Shkencëtarët e UCLA kanë zbuluar një molekulë të re PP405, që po cilësohet si “Botoxi i ri” për flokët. Ajo aktivizon qelizat staminale të folikulave dhe nxit rritjen e re të flokëve për vetëm 7 ditë. Kremi aplikohet direkt në lëkurën e kokës dhe në testimet klinike, 31% e përdoruesve panë rritje të flokëve mbi 20%. Trajtimi në fjalë nuk ndikon në hormone dhe është pa ndërhyrje kirurgjike. Kjo procedure ende nuk është miratuar nga Administrata Amerikane e Barnave dhe Ushqimit (FDA), por ka shpresë që të jetë një zgjidhje moderne për tullacët.







