“Dita Ndërkombëtare e Rinisë”, shënohet çdo vit më 12 gusht, për të sjellë në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar çështjet e të rinjve dhe duke festuar potencialin e të rinjve në ndërtimin e urave të bashkëpunimit global, për një botë më të drejtë.
Tema nën të cilën sivjet shënohet kjo ditë, është “Veprimet Lokale të Rinisë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Përtej”. Pikërisht kjo temë, thekson rolin e pazëvendësueshëm të të rinjve në kthimin e objektivave globale në veprime konkrete në nivel komuniteti. “Dita Ndërkombëtare e Rinisë” sivjet, thekson gjithashtu rolin jetësor të qeverive lokale dhe rajonale. Duke integruar prioritetet e të rinjve në strategjitë lokale dhe rajonale dhe duke nxitur partneritete me organizatat rinore, autoritetet duke bashkëpunuar me të rinjtë, mund të përkthejnë idetë e të rinjve në zgjidhje me ndikim. Shënimi i kësaj dite sivjet, ka një rëndësi të veçantë, pasi përkon me 30-vjetorin e Programit Botëror të Veprimit për Rininë, i cili mbetet një kornizë udhëzuese për njohjen e të rinjve si aktorë kyç në zhvillimin e qëndrueshëm.
Sa i përket historikut, ideja për “Ditën Ndërkombëtare të Rinisë”, u propozua në vitin 1991 nga të rinjtë e mbledhur në Vjenë të Austrisë, gjatë sesionit të parë të Forumit Botëror Rinor të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 1998, gjatë sesionit të parë të Konferencës Botërore të Ministrave Përgjegjës për Rininë, u miratua një rezolutë, që e shpalli 12 gushtin si “Ditë Ndërkombëtare të Rinisë”.







