Vera është koha ideale për të zhytur këmbët në rërë dhe mendjen në një libër të mirë. Nëse jeni në kërkim të një shoqëruesi të përsosur për pushimet tuaja, Radio KFOR-i u ofron si ide, 5 librat që do ta bëjnë plazhin akoma më të këndshëm:
Libri “The Seven Husbands of Evelyn Hugo” (Shtatë burrat e Evelyn Hugo’s) nga Taylor Jenkins Reid: Një histori emocionuese dhe plot pasion për jetën e një ikone hollivudiane, perfektë për lexues që duan drama, sekrete dhe një rrëfim që nuk lëshohet lehtë. Romani u nominua për çmimin “Goodreads Choice Award” për Letërsinë Historike më të Mirë në vitin 2017, duke fituar vëmendjen e lexuesve anembanë botës për stilin emocionues dhe rrëfimin e ndjerë.
“Remarkably Bright Creatures” (Krijesa jashtëzakonisht të ndritshme) nga Shelby Van Pelt: Një roman ngushëllues për miqësinë e papritur mes një pastrueseje dhe një oktapodi të mençur. I pazakontë, prekës dhe shumë i veçantë. Në vitin 2023, romani u nderua me çmimin McLaughlin-Esstman-Stearns për Romani i Parë, një vlerësim i rëndësishëm që shpërblen zërat e rinj në letërsinë bashkëkohore.
“Beach Read” (Lexim në plazh) nga Emily Henry: Një romancë verore mes dy shkrimtarëve që përballen me bllokimin e krijimtarisë në një qytet të vogël – me humor, ndjenja dhe shumë emocione të sinqerta. Është një histori e bukur për dashurinë, shërimin dhe fuqinë e tregimeve për të na bërë të kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët.
“The Midnight Library” (Biblioteka e Mesnatës) nga Matt Haig: Një eksplorim filozofik, por i lehtë për t’u përthithur, mbi zgjedhjet që bëjmë dhe mundësitë që humbasim. Ideal për reflektime gjatë një pasditeje të qetë nën diell. Është një roman i ndjerë dhe frymëzues që eksploron pendesën, shpresën dhe idenë se ndonjëherë mjafton një perspektivë e re për ta parë jetën me sy tjetër. Është një rrëfim që të shtyn të ndalosh, të reflektosh dhe të çmosh edhe vetë zgjedhjet që dikur mund të të jenë dukur të gabuara.
“Happy Place” (Vend i lumtur) nga Emily Henry: Një tjetër hit roman nga autorja më e dashur e romancave verore. Aty bëhet fjalë për një ish-çift që e luajnë dhe inskenojnë një çift të lumtur për një javë pushimi me miqtë. Tension, humor dhe shumë ndjenja. Një rrëfim prekës dhe i ndjerë për dashurinë, ndarjen dhe shpresën, libri fitoi zemrat e lexuesve dhe kritikëve njësoj, duke fituar edhe çmimin ‘Goodreads Choice Award’, për Romancën më të mirë të vitit 2023.
Merrni librin, shtrihuni në rërë dhe lini ngjarjet që do t’i lexoni, t’ju çojnë në vende që s’i keni vizituar kurrë. Vera ka shije më të mirë me një histori të mirë në dorë!







