Humanizmi është shumë më shumë se një ide filozofike, është një qëndrim praktik dhe një mënyrë jetese që kërkon që çdo individ të trajtohet me dinjitet e respekt dhe që shoqëria të jetë e angazhuar për mirëqenien e zhvillimin e të gjithëve.
Pikërisht sot (21.06.25), shënohet “Dita Botërore e Humanizmit” që promovon vlerat e arsyes, dhembshurisë dhe jetës etike. Kjo ditë fton individët dhe komunitetet që të reflektojnë mbi domethënien e të qenit njeri dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.
“Dita Botërore e Humanizmit” në përgjithësi fokusohet në promovimin e vlerave pozitive të humanizmit, nxitjen e të menduarit kritik si dhe fuqizimin e dhembshurisë dhe drejtësisë sociale. Kjo ditë shërben si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për perspektivën humaniste dhe për të kontribuar në ndërtimin e komuniteteve më gjithëpërfshirëse, etike dhe të drejta.







