Familja është bërthama kryesore e shoqërisë, dhe një ambient familjar i mbështetur në dashuri, mirëkuptim dhe respekt ndihmon në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të baraspeshuar. Kur në familje mbizotërojnë ndjenjat e dashurisë dhe mirëkuptimit, anëtarët e saj rriten në një mjedis të sigurt, emocionalisht të qëndrueshëm dhe të mbrojtur.
Fatkeqësisht, dhuna në familje vazhdon të jetë një fenomen shqetësues kudo në botë, mirëpo edhe në shoqërinë tonë. Ajo nuk ndikon vetëm tek viktima direkte, por prek gjithë familjen – përfshirë fëmijët, të afërmit dhe shpeshherë edhe komunitetin më të gjerë. Pasojat e dhunës në familje janë afatgjata dhe mund të ndikojnë në shëndetin mendor, emocional dhe fizik të të prekurve.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë fushatash vetëdijesuese dhe preventive me qëllim parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave. Me mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri ku dhuna nuk ka vend.
Heshtja përballë dhunës nuk është zgjidhje – përkundrazi, ajo mund të çojë në përshkallëzimin e situatës dhe pasoja më të rënda, andaj raportimi i dhunës mund të bëhet në mënyrat e mëposhtme:
- Në numrin emergjent 192
- Në numrin gjithashtu pa pagesë 0800 19999
- Përmes e-mailit në adresën: info@kosovopolice.com
- Ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
Vetëm përmes ndërgjegjësimit, bashkëpunimit dhe reagimit të shpejtë, mund të kontribuojmë në parandalimin e rasteve të dhunës dhe në ndihmën e viktimave. Çdo raportim mund të shpëtojë një jetë!
Mos qëndroni indiferent – dhuna nuk është çështje private, por një problem shoqëror që kërkon reagimin e të gjithëve.







