Muzika është gjuha që të gjithë e kuptojmë – ajo lidh zemrat, tejkalon kufijtë dhe flet aty ku heshtin fjalët. Çdo vit më 21 qershor, bota feston ‘Ditën Botërore të Muzikës’, një ngjarje ndërkombëtare që i kushtohet fuqisë universale të muzikës për të bashkuar njerëzit, kulturat dhe emocionet.
E njohur edhe si “Fête de la Musique”, kjo ditë nisi të shënohet për herë të parë në Francë, në vitin 1982 dhe u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke u shndërruar në një festë globale që promovon krijimtarinë muzikore dhe përfshirjen pa kufij. Në këtë ditë, qytete në të gjithë botën organizojnë koncerte falas në rrugë, parqe, sheshe publike dhe skena alternative, ku muzikantët profesionistë dhe amatorë ndajnë artin e tyre me publikun.







