Për të theksuar rolin thelbësor që luajnë krijimtaria dhe inovacioni në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës, sot shënohet ‘Dita Botërore e Krijimtarisë dhe Inovacionit’.
Kjo ditë shërben si një thirrje për të menduar ndryshe, për të sfiduar status quo-në dhe për të nxitur ide të reja që mund të përmirësojnë jetën tonë dhe të komunitetit tonë.
‘Dita Botërore e Krijimtarisë dhe Inovacionit’ u shpall zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2017 dhe synon të theksojë rëndësinë që kanë kreativiteti dhe inovacioni në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-të). Që nga teknologjia dhe arti, deri te zgjidhjet kreative në arsim, mjedis apo ekonomi, kjo ditë i kushtohet fuqisë së ideve të reja për të krijuar një botë më të mirë.
Dita e sotme na kujton se çdo njeri ka potencial për të krijuar dhe për të ndryshuar botën, qoftë përmes një ideje të vogël apo një shpikjeje madhore.







