Chopin Piano Fest sivjet po e feston 15 vjetorin e themelimit dhe kanë përgatitur një program unik prej 15 koncerteve, që do të fillojnë muajin e ardhshëm. Edicioni i 15-të Jubilar i Chopin Piano Fest Prishtina, përmban performanca të njohura nga artistë të shquar botërorë, duke ia dedikuar programin muzikës klasike dhe veprave të kompozitorëve të mëdhenj, si Chopin dhe Maurice Ravel, në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Ravel.
Festivali në fjalë fillon më 8 maj, me një koncert recital nga Maria Gabrys- Heyke, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe do të vazhdojë me interpretime nga artistë të njohur, si Sihana Badivuku, Benjamin Schmid, Istvan Lajko, Nathanael Gouin dhe të tjerë. Po ashtu, do të ketë edhe koncerte të veçanta me piano dhe orkestër si dhe bashkëpunime me Filharmoninë e Kosovës.
Programi përfshin një gamë të gjerë veprash, nga ato të Schubert dhe Bach, deri te kryeveprat e Tchaikovsky dhe Debussy. Më 5 qershor, do të organizohet një mbrëmje solistësh nga Kosova dhe koncertet do të mbyllen më 9 qershor, me performancën e Peter Donohoe.
Edicioni i këtij viti gjithashtu përfshin masterklasë dhe një konferencë mbi të drejtat e artistëve. Pavarësisht sfidave, si kushtet e sallës dhe pianoja, Chopin Piano Fest vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë. Më poshtë lajmit mund të njiheni me datat e koncerteve dhe me performancat e organizuara nga Chopin Piano Fest…








