Edhe kjo javë ka qenë plot e përplot risi dhe lajmet nga kjo fushë i fillojmë me celularin nga kompania Oppo, i emërtuar ‘Find N5’, që është smartphoni më i hollë me ekran të palosshëm. Ishte data 20 shkurt, kur ne u njoftuam me këtë telefon i cili ka ekran të palosshëm dhe është me trashësi vetëm 4mm.
Nga ana tjetër edhe kompania e Elon Musk, xAI, javën që po e lëmë pas ka prezantuar modelin e fundit të inteligjencës artificiale ‘Grok 3’, i cili ka 10 herë më shumë fuqi llogaritëse se sa paraardhësi i tij. ‘Grok 3’ përfshin veçori të avancuara për analizën e imazheve dhe përgjigje të pyetjeve.
Sa i përket çështjes së sigurisë, këtë javë kemi veçuar paralajmërimin e FBI-së, agjenci kjo e cila ka apeluar tek përdoruesit e iPhone dhe Android për një skemë mashtrimi, ku keqbërësit imitojnë bankat dhe agjencitë e ligjit për të vjedhur të dhënat personale dhe bankare. Mashtruesit po përdorin teknologji të avancuar për të bindur viktimat të transferojnë para ose të instalojnë viruse në pajisjet e tyre. FBI këshillon që këto thirrje të ndërpriten menjëherë dhe mesazhet mashtruese të fshihen. Ajo që e themi vazhdimit, është që siguria online mbetet një nga sfidat e teknologjisë, prandaj kur jeni të kyçur online, keni kujdes në mbrojtjen e të dhënave tuaja miq, mos i ndani ato me të tjerët.
Këtë javë kemi risi edhe nga kompania Meta, e cila bëri të ditur se po planifikon ndërtimin e kabllos më të gjatë nënujore të internetit. Flasim për kabllon 50,000 km të gjatë që do të lidhë SHBA, Indinë, Afrikën e Jugut, Brazilin dhe rajone të tjera. Projekti synon të përmirësojë lidhjen e internetit dhe të mbështesë zhvillimin e inteligjencës artificiale.







