Marie Curie pa dyshim mund të cilësohet si një nga modelet më frymëzuese për të gjitha vajzat dhe gratë në shkencë. Ajo bëri hapa të mëdhenj në fushën e shkencës, duke zbuluar poloniumin dhe radiumin, që solli ndryshime rrënjësore në mjekësi, për të cilat u shpërblye me dy çmime Nobel. Sot pikërisht me 11 shkurt, shënojmë ‘Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë’, për të nderuar kontributin dhe sakrificat e shumë grave dhe vajzave në këtë fushë, që kanë bërë ndryshim në botë.
Kjo ditë, u shpall nga Kombet e Bashkuara në vitin 2015 dhe ka për synim të inkurajojë pjesëmarrjen më aktive të grave dhe vajzave në shkencë, të promovojë mundësi barazie dhe të sfidoj stereotipet dhe barrierat që mund të përballen gratë apo vajzat në këtë fushë.
Përveç shkencëtares Marie Curie, figura të tjera të njohura të cilat me shpikjet e tyre ndryshuan botën për të mirë, janë edhe Ada Lovelace, e njohur si krijuesja e parë e një algoritmi për një makinë dhe Rosalind Franklin, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbulimin e strukturës së ADN-së. Këto gra dhe shumë e shumë të tjera, janë dëshmi se gratë kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë ndihmëse kyçe për përparimin e shkencës.







