Studio e vallëzimit ‘Evolution Dance’, në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka finalizuar pjesën e parë të projektit “Dance 4 All” (Vallëzimi për të Gjithë), i cili ka për qëllim përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në vallëzim.
Në një prononcim për media, instruktorja dhe themeluesja e ‘Evolution Dance’, znj. Dafina Rudi, pohoi: “Në bashkëpunim me Qendrën Burimore “Përparimi”, e cila e bën një punë shumë të madhe me këta fëmijë, ka përkrahur nismën tonë, ku janë mbajtur sesione vallëzimi për rreth 3 muaj, me fëmijë, nga klasa 1-12, të cilët me 17 dhjetor kanë shfaqur koreografitë para prindërve dhe të ftuarve të tjerë, e cila u përmbyllë me shpërndarje të medaljeve, mirënjohjeve dhe me një koktej rasti.”
Pjesa e dytë e projektit do të realizohet në fund të janarit, 2025, me ç’rast në Qendrën “Përparimi” do të mbahen sesione për Terapi Vallëzimi, me një terapiste nga Gjermania, e cila më pas do të realizoj edhe një workshop në ambientet e Evolution Dance.







