‘Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët’ organizohet sivjet nga data e sotme 18 nëntor, e deri më 24 nëntor dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi përdorimin dhe rezistencën antimikrobike (AMR) dhe pasojat që ajo ka për shëndetin publik në nivel global. Me temën “Edukoni. Mbështesni. Veproni tani.”, fushata e këtij viti synon të motivojë sektorin e shëndetësisë dhe atë të bujqësisë për të ndërmarrë hapa të përbashkët ndaj këtij kërcënimi në rritje.
Rezistenca antimikrobike ndodh kur mikroorganizmat, përfshirë bakteret dhe viruset, zhvillojnë rezistencë ndaj trajtimeve ekzistuese, gjë që rrit rrezikun e përhapjes së infeksioneve të vështira për t’u trajtuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e tjerë bëjnë thirrje për përdorim të përgjegjshëm të antibiotikëve, shmangien e përdorimit pa recetë si dhe inkurajimin e politikave për të zvogëluar përhapjen e infeksioneve të tilla.
Ky problem kërkon ndërhyrje të bashkërenduar nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe shoqërisë, për të garantuar se antibiotikët mbeten efektivë në të ardhmen.







