Aktivitete të shumta kulturore pritet që të mbahen në Kosovë edhe në ditët në vazhdim, e Radio KFOR-i do ju sjell sot, disa prej këtyre ngjarjeve.
E fillojmë ciceronin kulturor me Institutin Albanologjik të Prishtinës, i cili po organizon Konferencën shkencore “Java e Albanologjisë”, që ka filluar të mbahet nga dita e djeshme, data 9 shtator dhe do të zgjasë deri më 11 shtator, 2024. Ky do të jetë edicioni i pesëmbëdhjetë jubilar dhe në të do të marrin pjesë studiues të njohur të fushave qenësore të dijeve albanologjike.
Organizata Joqeveritare “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”, më 20 shtator 2024, në “Ditën Botërore të Pastrimit”, organizon aksion për të pastruar hapësirat e ndotura, në lagje, brigjet e liqeneve dhe lumenjve, parqet nacionale dhe bjeshkët. Grumbullimi i vullnetarëve do të bëhet nga ora 10:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Në kryeqendrën e Kosovës, do të kemi edhe netë “Stand-Up Komedi” në gjuhën angleze. Në muajin shtator, më saktësisht në datën 18, nga ora 20:00, në lokalin Defy Them, vjen komediani rumun, Victor Patrashcan, ku do të dëgjoni për dështimet në marrëdhënie dhe dashuri me disa nga humoristët më gazmorë në Evropë.
“Prishtina Marathon” këtë vit do të mbahet me datën 22 shtator, nga ora 09:00. Motoja e vrapimit 2 km, është “Vrapo pa kufi!”. Këto janë vetëm disa nga ngjarjet e shumta që do të na shoqërojnë përgjatë muajit shtator, por për të mësuar për ngjarje të tjera, qëndroni me valët e Radio KFOR-it, duke shkarkuar falas aplikacionin “Radio K4”.







