Muzikë, argëtim, ushqim të shijshëm dhe shumë befasi të tjera, ka rezervuar edhe këtë vit edicioni i dhjetë me radhë i festivalit të vjeljes së rrushit ‘Hardh Fest’. Festa e vjeljes së rrushit tashmë është kthyer në një ngjarje tradicionale, e organizuar që nga viti 2001. Edhe këtë vit, organizatorët do të sjellin artistë me famë vendore dhe ndërkombëtare, duke filluar nga data 6, 7 dhe 8 shtator, në vreshtat e Rahovecit.
Bendi legjendar Gipsy Kings do të performojnë për herë të parë këtë vit, bashkë me ish kitaristin e bendit ‘Gun’s and Roses’, Bumblefoot. Po ashtu, në këtë edicion do të ketë edhe artistë vendor, si grupi Fisnikët, Dren Abazi dhe shumë artistë të tjerë.
Shijoni verën vendore të Rahovecit duke u argëtuar me programin e këtij viti, që do të jetë i mbushur me shumë surpriza dhe aktivitete interesante. Festivali përveç argëtimit, ka për qëllim kryesor promovimin e prodhimeve të rrushit, ruajtjen e mjedisit dhe natyrës por edhe promovimin e artit dhe kulturës.







