Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Samsung, kompani e cila do të shpërblejë me nga 1 milionë dollarë, të gjitha ata hakerë që thyejnë sigurinë apo gjejnë gabime në telefonat më të ri Samsung. Kujtojmë që deri vitin e kaluar, Samsung kishte shpërblyer hakerët me nga 125 mijë dollarë, nëse ata thyenin sigurinë në telefonat më të ri Samsung.
Të reja këtë javë kemi edhe nga Google Meet, që ka njoftuar se po merr një veçori të re të fuqizuar me inteligjence artificiale, të quajtur “Take notes for me”. Bëhet e ditur se kjo veçori automatikisht do të marrë shënime gjatë takimeve të përdoruesit, duke e bërë më të lehtë që përdoruesi të përqendrohet në bisedë dhe të mos shqetësohet për humbjen e detajeve të rëndësishme. Këtë javë kemi edhe listën e vendeve me internetin më të shpejtë dhe më të ngadaltë në Evropë. Kërkimet e kryera nga faqja britanike Cable, ka përfshirë edhe Gadishullin Ballkanik, e sipas rezultateve Maqedonia e Veriut është në vendin e parë me shpejtësi lidhjeje interneti prej 97.9 Mbps. Më pas e kemi Slloveninë me 97 Mbps, në ven din e tretë radhitet Serbia me 60.5 Mbps, ndërsa Kosova ndodhet e katërta me 57.3 Mbps. E sa i përket internetit më të shpejtë në Evropë, listën e kryeson ishulli Jersey që ndodhet midis Britanisë së Madhe dhe Francës. Ne këtë ishull shpejtësia e internetit është 264 Mbps.







