Bullizmi në shkolla vazhdon të jetë aktual edhe sot e kësaj dite dhe pasojat për viktimën janë shumë serioze, e kjo mund të çojë në dëmtime fizike, të ketë ndikim të rëndë psikologjik, humbje të vetëbesimit dhe në rastet më të rënda edhe në vetëvrasje. Bullizmi është një problem shoqëror dhe shpesh kërkon përfshirjen e komunitetit shkollor dhe të prindërve për të parandaluar dhe trajtuar rastet e bullizmit.
Se cilat janë pasojat konkrete të kësaj dukurie shqetësuese, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, psikologun klinik, z. Ilir Havolli, i cili mes tjerash nënvizoi: “Bullizmi në shkolla ka pasoja të shumta negative për nxënësit që e përjetojnë, për ata që janë dëshmitarë si dhe për ata që e kryejnë atë. Disa prej këtyre pasojave përfshijnë: Ndikim në shëndetin mendor, ankth, depresion, stres post-traumatik, vetëbesim të ulët, ndjenjë të izolimit, rritje të rrezikut për vetëvrasje, etj. Pastaj kjo mund të ketë ndikim edhe në shëndetin fizik, si për shembull: probleme me gjumë e ushqim, sëmundje psikosomatike, si dhimbje koke dhe dhimbje barku. Por bullizmi mund të ketë ndikim edhe në performancën akademike: përqendrim të ulët, mungesa në shkollë, rënie të rezultateve akademike, etj.”
Terminin “bullizëm” e përdorim për të përshkruar një formë të zakonshme të sjelljeve agresive dhe të dhunshme ndaj një personi tjetër. Kjo përfshinë veprime të ndryshme fyese, si: ofendime verbale, keqtrajtime fizike, shpifje, izolim të personit nga grupi ose shfrytëzim emocional.
Për të luftuar bullizmin, është e rëndësishme të krijojmë një kulturë ku respektohet diversiteti, vlerat njerëzore dhe të drejtat e të tjerëve. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të ndërmarrim masa konkrete për trajtimin e rasteve të bullizmit, duke përfshirë edukimin për nxënësit dhe stafin shkollor si dhe ndihmë dhe mbështetje për viktimat dhe por edhe për ata që abuzojnë.







