Për të nderuar kontributin dhe përkushtimin e infermierëve në mbarë botën, më 12 maj të çdo viti, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Infermierëve”. Kjo datë përkujton përvjetorin e lindjes së britanikes Florence Nightingale, themelueses së infermierisë moderne.
Infermierët në mbarë botën, luajnë një rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, duke punuar pa u lodhur për t’u kujdesur për pacientët, për të promovuar shëndetin, për të parandaluar sëmundjet dhe për të lehtësuar vuajtjet e pacientëve. Ata shpesh punojnë në mjedise sfiduese, duke demonstruar dhembshuri, ndjeshmëri dhe profesionalizëm, në ndërveprimet e tyre me pacientët dhe familjet.
Shënimi i “Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve” shërben për të shprehur mirënjohjen ndaj infermierëve, për përkushtimin e tyre vetëmohues dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, zhvillimin profesional dhe përmirësimin e kushteve të punës.







