Edhe java që po e lëmë pas, ka prodhuar lajme të shumta teknologjike. E fillojmë me Samsung, kompani kjo e cila çdo vit, zakonisht realizon dy evente “Unpacked”, për të zbuluar pajisjet e tyre më të fundit. Kujtojmë që kompania Samsung, ka mbajtur eventin e fundmit në janar, ku debutuan serinë Galaxy S24 dhe sipas një raporti të publikuar së fundmi nga SamMobile, që është faqe dedikuar tërësisht të rejave nga Samsung, ngjarja e radhës e kompanisë në fjalë do të mbahet përsëri në fillim të korrikut.
Inteligjenca artificiale edhe këtë javë ka prirë me kryetituj. Është kompania suedeze Klarna, e cila merret me shërbimet e pagesave, ajo e cila po e përdor tashmë një ‘chatbot’, për të trajtuar dy të tretat e kërkesave të klientëve të saj, punë kjo e cila zakonisht kryhet nga 700 punonjës, me kohë të plotë. Vetëm në muajin e parë, chatbot-i pati 2.3 milionë biseda dhe Klarna vlerëson se falë tij, do të kursejë 40 milionë dollarë këtë vit.
Nga të rejat vendore teknologjike kemi veçuar konkursin më të madh të inovacionit rajonal, i cili ka hapur dyert për të shënuar edicionin e 12 me radhë. Gara “Albanian ICT Awards” do të mirëpresë aplikime në 7 kategori të ndryshme: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje deri në 16 vjeç, ICT Ylli në Ngritje 16-21 vjeç, Cyber Security dhe Formulari i Nominimit. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 31 mars, 2024 dhe mund të realizohen vetëm në formatin online duke vizituar faqen e ICT Awards.
Të reja patëm edhe nga makinat fluturuese. Prodhuesi gjerman i taksive ajror Volocopter, ka marrë dritën jeshile për të filluar prodhimin serik të fluturakeve të tyre.