Me rastin e festave të fundvitit, tradita e përdorimit të mjeteve piroteknike në vendin tonë përqafon shumicën prej nesh ku pavarësisht rrezikut të saj, e shprehim si mënyrë për të festuar.
Por duke ditur rrezikun që mund të shkaktojnë mjetet piroteknike, dhe për të evituar rreziqet dhe incidentet e panevojshme, Radio KFOR ka komunikuar me zëdhënësen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi e cila u shpreh: “Mesazhi i këtij viti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është ‘Për festa të Sigurta’. Ky mesazh ndërlidhet me atë që MPB u jep rol prindërve që të jenë të pranishëm dhe të zbatojnë me përpikëri udhëzimet për përdorimin e fishekzjarrëve, si një faktor që ndikon direkt në përdorimin e sigurte dhe pa lëndime. Shitja, blerja dhe përdorimi i fishekzjarrëve është i ndaluar në rrugë publike, sheshe, vendbanime të dendura me ndërtesa dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura, në afërsi të spitaleve, në mjetet e transportit të udhëtareve etj”.
Sipas IKShPK-së, në Kosovë statistikat tregojnë për minimum 100 të lënduar rëndë e lehtë, çdo festë të Vitit të Ri, nga hedhja e mjeteve piroteknike! Ruani shëndetin tuaj dhe të tjerëve!