Vit i ri, synime të reja. Janari, jo rastësisht është përzgjedhur të kremtohet si “Muaji Ndërkombëtar i Kreativitetit”. Të qenit kreativ në muajin e parë të vitit të ri, mund t’ju krijojë një vit plot suksese. “Muaji Ndërkombëtar i Kreativitetit” është themeluar nga Randall Munson, i cili ndër të tjera është edhe autor i një prej librave më të shitur në botë, të titulluar “Creativity 102”.
Ky muaj festohet për të frymëzuar njerëzit që të dalin nga zonat e tyre të rehatisë dhe të fillojnë të jenë inovativë në jetën e tyre të përditshme. Për të gjetur frymëzim e për të qenë kreativ, Radio KFOR-i u sjell disa rekomandime:
Relaksohuni – Rekomandohet që brenda muajit janar, të gjeni pak kohë për veten tuaj. Edhe nëse është një ditë e vetme, pushoni dhe ralaksohuni, pasi kjo e stimulon kreativitetin.
Ecni – Ecja në natyrë ndihmon për të gjetur frymën krijuese. Ecja pastron mendjen dhe mund t’ju japë një pasqyrë të freskët, për të reflektuar.
Provoni diçka të re – Mundohuni të sfidoni veten në “Muajin Ndërkombëtar të Kreativitetit” dhe provoni diçka që nuk e keni bërë më parë. Mund të jetë një hobi i ri, një projekt i ri apo edhe thjesht një veshje e re, jashtë zonës komforte të stilit tuaj!
Mos harroni t’i kushtoni vëmendje gjumit. Cikli i rregullt i gjumit po ashtu ndihmon në rritjen e kreativitetit dhe ju bënë që të reflektoni pozitivitet, që po ashtu është pjesë e zinxhirit stimulues të kreativitetit.