Firma konsulente amerikane, Boston Consulting Group (BCG), çdo vit përpilon listën e kompanive më inovative të vitit. Për të katërtin vit me radhë, Apple po konsiderohet kompania më inovative në botë, ndërkohë BCG vlerësoi ecurinë e një kompanie në katër shtylla: Vetëdija globale (numri i votave të marra nga të gjithë drejtuesit e sektorit të inovacionit në nivel botëror), Vizioni i kolegëve të sektorit (numri i votave të marra nga drejtuesit e kompanive), Diversiteti i sektorit dhe Krijimi i vlerës rikthimi total për aksionarët, duke përfshirë blerjet e aksioneve, gjatë periudhës trevjeçare, 2020 – 2022).
Në bazë të këtyre kritereve, Apple është shpallur kompania më inovative e vitit 2023, pasuar nga Tesla, Amazon, Alphabet, Microsoft, etj. Rivali kryesor i Apple në tregun e telefonave të mençur, Samsung, në listën e Boston Consulting Group, e gjen veten të ranguar në pozitën e 7-të. Samsung, bëhet e ditur se ka shënuar progres dhe është në rrugë për t’u ngritur më lartë në këtë listë, duke qenë se shpenzoi më shumë se 17 miliardë dollarë (9% të shitjeve vjetore) në kërkim dhe zhvillim në vitin 2021, duke e bërë konglomeratin koreano-jugor, një nga shpenzuesit më të mëdhenj në botë për inovacionin. Ndër të tjera, Samsung posedon mbi 6.300 patenta në SHBA, më shumë se çdo kompani tjetër.