Një nga vitet më të bukura dhe më të pasura, me shumë ngjarje e histori sportive, ka qenë viti 2023. Shumë kampionë, rekorde të arritura dhe suksese të ndryshme e klasifikuan vitin që e lamë pas dhe Radio KFOR-i ka përgatitur për ju një udhëtim prapa në kohë, për të eksploruar mbi arritjet në sport gjatë këtij viti.
I nisim ngjarjet sportive me suksesin e arritur të kampionit të Kosovës që u kualifikua për herë të dytë rresht, në grupet e UEFA Europa Conference League. Ishte kjo hera e parë në futbollin shqiptar që një skuadër kualifikohet dy herë rresht në grupet e garave të UEFA-së. Ballkani përndryshe edhe këtë vit ishte kampion i Kosovës.
Ngjarje tjetër e madhe këtë vit që e lamë pas, ishte suksesi i Shqipërisë, që arriti për herë të dytë në histori të kualifikohet në Kampionat Evropian. Këtë sukses, Shqipëria e arriti në një grup me Republikën Çeke, Poloninë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe, duke përfunduar ciklin kualifikues në vendin e parë. Kampionati Evropian i vitit 2024, do të zhvillohet nga data 14 qershor e deri më 14 korrik, në Gjermani.
Këtë vit, Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 – “Prishtina 2030”. Kështu ka vendosur Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), që u mbajt në Heraklion të Greqisë. Padyshim se kjo është një prej arritjeve më të mëdha dhe historike, për sportin e Kosovës. Në Lojëra Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 vende, teksa Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje.
Kalojmë tek ngjarjet ndërkombëtare, ku Lionel Messi është bërë lojtari me më së shumti Topa të Artë të fituar, plotë tetë sosh, duke dëshmuar që është lojtari më i mirë në histori të futbollit. Messi e arriti këtë sukses pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën, në vitin 2022.
Në këtë vit, Manchester City arriti për herë të parë në histori të klubit të fitoj “Tripletën” e famshme. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, fitoi UEFA Champions League, Premier Ligën dhe FA Cup, duke dominuar gjithçka në futbollin evropian.
Ndalemi tek basketbolli, ku këtë vit është zhvilluar Kampionati Botëror i basketbollit në Japoni, Filipine dhe Indonezi. Për herë të parë, Gjermania fitoi një kampionat botëror duke mposhtur në finale Serbinë, me rezultat 83-77. Ndërsa në NBA, po ashtu për herë të parë në histori të tyre, Denver Nuggets u shpallën kampion, pasi në finale mposhtën Miami Heat me rezultat 4-1. E në Euroligë, ishin Real Madridi që u shpallën kampione duke fituar ndaj Olympiacosit në finale.
E në garat e shpejtësisë, më saktësisht në Formula 1, ishte Max Verstappen që fitoi titullin e tretë rresht duke regjistruar dominimin më të lartë të një bolidi ndonjëherë në Formula 1. Ndërsa në Moto GP, ishte Francesco Bagnaia që mbrojti titullin e fituar vitin e kaluar.