Sëmundja e Parkinsonit për herë të parë u përshkrua nga mjekët, në vitin 1817, nga doktori britanik Dr. Xhejms Parkinson. Është një sëmundje kronike, progresive dhe degjeneruese e trurit, e cila ndodh kur disa qeliza nervore, të një pjese të trurit, që quhen Substantia Nigra, dëmtohen ose vdesin. Simptomat e kësaj sëmundjeje fillojnë gradualisht, duke filluar me një dridhje shumë pak të dukshme në njërën dorë. Disa nga simptomat tjera të kësaj sëmundje janë: dridhja e gjymtyrëve, ngadalësim i lëvizjeve, muskuj të ngurtë dhe ndryshime apo ngecje në të folur.
Aktualisht nuk ka ndonjë kurë për sëmundjen e Parkinsonit, por përmes trajtimeve mjekësore siç është terapia mbështetëse apo fizioterapia, ndihmohet në lehtësimin e simptomave dhe për të ruajtur cilësinë e jetës së personit të afektuar. ‘Dita Botërore e Parkinsonit’ shënohet çdo vit më 11 prill, për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje.
Çdo gjashtë minuta, një person në Shtetet e Bashkuara diagnostikohet me Sëmundjen e Parkinsonit (PD) dhe këtë vit tema e cila shënon ‘Muajin e Ndërgjegjësimit për Parkinsonin’, është #Take6ForPD .
Sipas Fondacionit të Parkinsonit, në mbarë botën 10 milionë njerëz, janë të prekur nga sëmundja e Parkinsonit dhe shumica e njerëzve që sëmuren me Parkinson, janë mbi moshën 60 vjeç, por një në dhjetë persona janë nën moshën 50 vjeç.