Të rejat javore në teknologji, i fillojmë me telefonin që debuton në treg, në maj të vitit 2023. Është fjala për telefonin shumë të përfolur me ekran me palosje nga kompania Google. Telefoni vjen me ekran 5.79-inç të jashtëm dhe një ekran të madh 7.69-inç të brendshëm, me një dizajn të ngjashëm me Galaxy Z Fold 4. Telefoni i mençur vjen në dy ngjyra të ndryshme, argjendtë dhe e zezë. Çmimi përflitet të jetë nga 1.799 dollarë për këtë telefon.
Java e shkuar teknologjike na ka servuar edhe një aplikacion që do i kontribuojë shëndetit. Lajmi na vjen nga Universiteti Brown, më konkretisht nga Dr. Selim Suner, i cili ka zhvilluar një aplikacion mjekësor i cili, siç thuhet, mund të masë aneminë në vetëm dy sekonda, pa mostra gjaku nga pacienti. Po flasim miq për aplikacionin ‘eMoglobin’, i cili mbështetet nga inteligjenca artificiale dhe mund të mat menjëherë nivelin e anemisë tek një pacient, duke përdorur një fotografi katrore të marrë nga një telefon celular.
Po këtë javë që po lëmë pas, kuptuam që makina elektrike diellore ‘Squad’, po lansohet në SHBA. Me një çmim prej mbi 6.200 dollarë, kjo makinë vogël është një startup holandez, i cili u prezantua muaj më parë edhe në Evropë. Automjeti i vogël me dy vende, është i projektuar të jetë i lehtë nga pesha dhe sa i përket fuqisë, ai përbëhet nga dy motorë me rrota të pasme 2 kW, që fuqizojnë katër bateri 1.6 kWh kilovatësh, që mund të ndërrohen me shpejtësi. Makina elektrike mund të udhëtojë deri në 100 kilometra, me një mbushje të vetme dhe mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 45 kilometra në orë.