Gripi sezonal është një infeksion akut viral, i cili përcillet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri, përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes si dhe në mënyrë indirekte me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.
Për të kuptuar se si qëndron situata e përgjithshme me gripin sezonal, Radio KFOR-i kontaktoi pulmologun Dr. Arbër Ismaili, i cili tregoi se për momentin ka rritje të numrit të të sëmurëve me sëmundje kronike të mushkërive dhe me infeksione virusale. Ndërsa, në pyetjen tonë, – se si të mbrohemi nga gripi sezonal dhe si ta parandalojmë përhapjen e tij?, Dr. Arbër Ismaili theksoi: “Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini në faculetë, lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni dezinfektues, përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë, ushqehuni shëndetshëm, bëni aktivitet të rregullt fizik, bëni gjumë të mjaftueshëm, pastroni dhe dezinfektoni çdo herë mjediset ku banoni dhe konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit. Një nga masat më të preferuara dhe të duhura, sidomos për personat me imunitet të komprometuar, rekomandohet edhe marrja e vaksinave kundër gripit sezonal. E nëse jeni të sëmurë me grip, ju rekomandojmë të qëndroni më shumë në shtëpi, pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë, informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj dhe evitoni kontaktet me grumbuj njerëzish.”
Sipas Dr. Ismilit, çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët dhe një nga masat më të preferuara dhe të duhura, sidomos për personat me imunitet të komprometuar, rekomandohet edhe marrja e vaksinave kundër gripit sezonal.