‘Fondacioni Utalaya’, që është themeluar nga alpinistja, znj. Uta Ibrahimi, po zhvillon aktivitete të ndryshme kryesisht që lidhen me ambientin dhe mbrojtjen e natyrës. Për herë të parë fondacioni ‘Utalaya’, me mbështetjen e Komunës së Prishtinës po organizojnë festivalin e parë ekologjik për fëmijë ‘Eco Fest’, që do të përfshijë aktivitete të shumta përgjatë dy ditëve, sa edhe do të zgjas ky festival. Rreth aktiviteteve dhe qëllimit të këtij festivali, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me koordinatoren e projektit ‘Eco Fest’, znj. Doruntina Ukimeri: “Eco Fest është festivali i parë ekologjik për fëmijë, që ka për qëllim edukimin dhe angazhimin e fëmijëve të shkollave fillore për ushtrimin e praktikave ambientaliste, përmes argëtimit në sporte, aktiviteteve dhe lojërave në natyrë. Përmes këtyre aktiviteteve, ne mundohemi të kultivojmë mentalitet të shëndoshë për gjeneratat e reja për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit. Kemi përzgjedhur dy shkolla fillore, me të cilat do të realizojmë aktivitetet tona. Shkollën ‘Qamil Batalli’ dhe ‘Gjergj Fishta’, ku 30 pjesëmarrës nga këto shkolla, do të zhvillojnë aktivitete që përfshijnë ecje nga Parku i Gërmisë deri tek Parku i Arinjve, pastaj diskutim mbi mbrojtjen e mjedisit, shfaqje të filmit, do të bëjmë mbjellje të fidanëve dhe do të zhvillojmë një punëtori me fëmijët, ku do të dizajnojmë shportat e mbeturinave, do të krijojmë mesazhe për mbrojtjen e ambientit nëpër park dhe aktivitete të tjera me karakter edukativ.”
‘Eco Fest’ do të mbahet në datat 3 dhe 4 dhjetor, nga ora 09:00 deri në ora 15:00 dhe ka për qëllim edukimin e fëmijëve, që të kuptojnë dhe respektojnë shtëpinë tonë të përbashkët, natyrën dhe ta mbrojnë atë.