Përmbledhjen javore të teknologjisë e nisim me Snapchat, që kanë publikuar një veçori të re. Është fjala për Dual Camera, që do të lejojë njerëzit të përdorin dy kamera, në të njëjtën kohë. Me Dual Camera, përdoruesit mund të përdorin të dy kamerat e telefonit në të njëjtën kohë (atë të përparme dhe të pasme) të bëjnë foto ose video. Kamera e Dyfishtë Snapchat, do të jetë e disponueshme globalisht në iOS, derisa në Android mund të vijë në muajt e ardhshëm.
Këtë javë, të reja kemi edhe nga Samsung, që ka paraqitur aplikacionin për patentë, për një telefon me ekran të dyfishtë. Siç shkruajnë mediat botërore të teknologjisë, aplikimi i patentës është për një telefon të mençur i cili përmban një ekran të dytë transparent, në pjesën e pasme. Kur fiket, ekrani mbrapa, nuk do të dallohet nga pjesa tjetër e panelit të pasmë të telefonit.
Edhe konkurrenti i Samsung, gjigandi Apple, prodhoi lajme këtë javë. Gjenerata e ardhshme e Iphone, pritet që të shpaloset për publikun me datën 7 shtator, e bashkë me telefonat e ri, Apple pritet të prezantojë edhe Apple Watch Pro. Pritshmëritë janë që kjo orë e re, do të jetë pak më e ndryshme se modeli standard i Apple Watch, do të jetë model më premium, me një dizajn më ndryshe dhe me një ekran dukshëm më të madh.







