Përmbledhjen javore të teknologjisë, e fillojmë me Googl, e cila ka nisur me lansimin e aplikacionit Wallet, në Android. Google Wallet, është aplikacioni i cili do të zëvendësojë Google Pay në shumë vende të botës. Gjigandi e prezantoi atë, në konferencën e zhvilluesve ku edhe shpalosi specifikat. Me aplikacionin e ri, përdoruesit mund të menaxhojnë jo vetëm kartat bankare por edhe karta identifikimi, statusin e vaksinimit, bileta, çelësa e shumë të tjera.
Segmenti i makinave elektrike po vazhdon që të jetë biznes joshës për kompanitë teknologjike. Prodhuesit tradicional të makinave parashikojnë vitin 2030 si momentin e adoptimit të gjerë të makinave elektrike dhe hibride, e ky treg, nga ky vit, ka edhe një konkurrent më shumë. Është fjala për kompaninë Xiaomi e cila ka bërë të ditur se makina e saj elektrike, Xiaomi Car, mund të debutojë muajin e ardhshëm. Kompania në fjalë, ka premtuar të investojë 10 miliardë dollarë, në 10 vitet e ardhshme, në biznesin e makinave elektrike.
Në përmbledhjen javore të teknologjisë e kemi edhe një informacion nga vendi. Një nga konferencat më të mëdha të teknologjisë në Ballkan, DOKU.TECH, do të rikthehet pas dy vitesh, në kuadër të Festivalit të Filmit, Dokufest. Ky edicion i DOKU.TECH do të mbahet më 6 gusht, 2022, dhe do të shpaloset në Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit [ITP] ne Prizren. Nën sloganin “Fytyra ime nuk është Barkod”, DOKU.TECH do të sjellë diskutime për mundësitë, të papriturat dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale, Inteligjencës Njerëzore, Shkencës dhe Mbledhjes së të Dhënave, Privatësisë, Algoritmeve, Sistemeve e të tjera.







