Në 23 vjetorin e prezencës së KFOR-it në Kosovë, nderojmë ata të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur, kontribuuan me dashuri dhe përkushtim si punonjës civil në misionin e KFOR-it në Kosovë. Në kuadër të kampanjës së 23 vjetorit të prezencës së KFOR-it në Kosovë, sot në emisionin ‘Macchiato Lounge’, te moderatorja Pranvera Behrami-Breznica, të ftuar ishin redaktorja e Radio KFOR-it, Mirditë Meha Bajrami dhe editori i montazhës në studio produksionin e televizionit të KFOR-it, Elod Bajrami.
Përvojë e bukur dhe profesionale që filloi para 23 vjetëve në misionin e KFOR-it, ishte edhe ai i redaktores së Radio KFOR-it, Mirditë Meha Bajrami, e cila këtë rrugëtim shumëngjyrësh e nisi si adoleshente dhe kontributin e saj profesional, vazhdon ta ofrojë edhe sot. Znj. Meha-Bajrami, shpalosi disa nga momentet më interesante dhe të dashura që kanë karakterizuar më shumë se dy dekada punë, fillimisht si gazetare/moderatore dhe tashmë ndër vite si redaktore në Radio KFOR:
“Kemi momente shumë të bukura gjatë tërë këtyre viteve. Do të ndaja një prej momenteve më të lumtura kur ishim si gazetarë dhe kemi rastisur në një fëmijë të djegur në shkallën e tretë nga një aksident dhe KFOR-i i ka mundësuar shërim në Itali. Në përgjithësi kemi kaluar shumë mirë dhe kemi momente shumë të bukura bashkë. Është kënaqësi të punosh në Radio dhe ndjehem e privilegjuar të punoj në këtë institucion që mund të kontribuoj edhe unë për paqe dhe tolerancë. Këshilla ime për të rinjtë do të ishte të punojnë, të mësojnë, të lexojnë sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të përmbushni ëndrrat e tyre. Duajeni njëri-tjetrin, jetoni dhe lërini të tjerët të jetojnë po ashtu.”
Përvojë të tillë, po kaq interesante shpalosi edhe z. Elodi, gjatë gjithë këtyre viteve punë në KFOR: “Kemi kaluar shumë momente të bukura dhe të veçanta me kolegët, që i konsideroj si vëllezër dhe motra. Dua të shfrytëzoj këta minuta në këtë emision, që tu bëj thirrje të gjithë të rinjve që të provojnë profesione të ndryshme, të rrezikojnë dhe të mos stepen në një vend, mirëpo por të sfidojnë veten, nëse duan të jetësojnë ëndrrat e tyre.”
Në kuadër të kampanjës së 23 vjetorit të KFOR-it në Kosovë, gjatë këtij muaji Radio KFOR-i do të ketë të ftuar punonjës të tjerë civil, të misionit të tij paqeruajtës, të cilët po ashtu do të ndajnë kujtimet dhe përvojat e tyre profesionale në KFOR.