Nga sot, 26 maj e deri më 28 maj, ambientet e Qendrës së Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, në Mitrovicë, janë nikoqire të “Panairit të Kulturës dhe Shkencës’ që organizohet tradicionalisht nga gjimnazi ‘Frank Bardhi’. Qysh nga viti 2006, nxënësit e këtij gjimnazi e shprehin kreativitetin, punën dhe aftësitë e tyre edhe para qindra pjesëmarrësve që vizitojnë panairin. Ekipi i Radio KFOR-it, sot ishin po ashtu pjesëmarrës në këtë panair, ku intervistuam mësimdhënësen e lëndës së fizikës dhe anëtaren e këshillit organizativ të panairit, znj. Elmira Maloku, e cila tha: “Për dallim nga vitet e shkuara, kur panairi organizoj me lëndë të ndara, të veçanta, këtë vit po e organizojmë nëpër fusha të ndryshme kurrikulare, ku gjuha dhe komunikimi janë bashkë me shkencat natyrore, shoqëria dhe mjedisi, matematika, artet, sportet, etj. Përveç lëndëve kurrikulare, kemi edhe sektorin e bamirësisë, ku nxënësit shesin punimet e tyre dhe përgatitjet ushqimore të tyre, pastaj në fund të panairit, me këto fonde ndihmojmë familjet në nevojë, në komunën e Mitrovicës.”
E pranishme në këtë panair ishte edhe Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, znj. Drita Kadriu, e cila tregoi se përkrahja nga komuna për aktivitete të tilla, nuk ka munguar asnjëherë dhe se shprehja e njohurive të nxënësve para të tjerëve, u ndihmon këtyre nxënësve që nesër të jenë kuadro të përgatitura profesionale: “Dija që rri e paketuar në trurin e fëmijëve dhe shfaqet vetëm kur mësuesi apo profesori e pyet, është një lloj kufizimi. Kur dija del e shfaqet para opinionit të gjerë, siç po ndodhë edhe sot, këta nxënës marrin përgjegjësi të madhe për të na treguar se çka është një dukuri shkencore, cila është vlera e një krijimi etj. Ky panair na dëshmon që ne, duhet të shkojmë shumë shpesh përtej asaj se çfarë mund të përmbajë korniza kurrikulare, në mënyrë që nxënësit t’i bëjmë të aftë për jetë.”
Krenare me punën e nxënësve që po shfaqet në panair, ishte edhe Drejtoresha e Gjimnazit, ‘Frank Bardhi’, znj. Zybejde Gogolli-Latifi: “Puna e këtij panairi është si zgjoi i bletës, ashtu si bletët punëtore, i kemi nxënësit punëtorë. Panairi është vlerë shumë e madhe e shkollës tonë, vet fakti që nxënësit tonë tregojnë kreativitetin jashtë orëve mësimore, e madhështon punën e mësimdhënësit dhe rrit vlerën e secilit nxënës.”
Ndërkohë të lumtur që po shprehin dhe po shfaqin punën e tyre para të tjerëve, ishin edhe vet nxënësit. Adea Tahiri, nxënëse e klasës së 11-të, në Gjimnazin ‘Frank Bardhi’, tha se “Panairi i Shkencës dhe Kulturës” ka një rëndësi të madhe edhe për të ardhmen e nxënësve: “Panairi është një eksperiencë e re për gjeneratën tonë, pasi në dy vitet e shkuara për shkak të pandemisë, panairi nuk është mbajtur. Ky panairi do të na ndihmojë shumë, do të kemi mundësi që të komunikojmë me shumë njerëz, t’u tregojmë pjesëmarrësve se çka jemi të aftë që të bëjmë dhe do të na shërbejë si eksperiencë, që do të na ndihmojë në të ardhmen.”
“Panairi i Kulturës dhe Shkencës”, në Mitrovicë do të jetë i hapur deri me datën 28 maj, në ora 17:00.