Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 15 maji i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Familjes”. Kjo ditë ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin global për rëndësinë e mirëqenies së familjes dhe çështjet që lidhen me shëndetin, arsimin, barazinë gjinore, të drejtat e fëmijëve, etj.
Në shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka intervistuar Psikologen dhe Terapisten Stimuluese në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku”, znj. Vlora Fejza, e cila ndër të tjera tha: “Familja është faktor shumë i rëndësishëm për formimin e një fëmije. Çdo individ ka nevojë për një mjedis familjar, jo vetëm gjatë fëmijërisë dhe foshnjërisë, por në çdo fazë të jetës së tij. Marrëdhënia e shëndosh prindër dhe fëmijë ndikon pozitivisht në mirëqenien mendore tek të rriturit dhe fëmijët. Zhvillimi i vetëbesimit të fëmijës, varet nga lidhja e ngushtë prindër-fëmijë. Roli primar, socializimi i familjes, qëndron në formimin e personalitetit të fëmijës. Familja duhet të jetë një vend ku fillon gjithçka lindja, edukimi, njohja me shoqërinë, mësimi i moralit, dashuria dhe ngrohtësia. Një ndër aspektet më të rëndësishme psikologjike të edukimit të fëmijëve në familje, natyrisht, është formimi i aftësive komunikuese. Secili i rritur dhe fëmijë duhet të ketë lirinë e shprehjes, komunikimi është çelësi kryesor që një familje të jetë e shëndoshë dhe e lumtur.”
“Dita Ndërkombëtare e Familjes” shënohet qysh nga viti 1993 dhe ka për qëllim që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.