Javën e ardhshme, më saktësisht të shtunën (8 shtator), do të mbahet trajnimi ”Qasja ndaj të miturve përdorues të narkotikëve dhe teknikat e këshillimit”, me qëllim të ngritjes së potencialeve të infermierëve dhe psikologëve për të ofruar këshillat bazë në momentet kur është e nevojshme të punohet me të rinjtë, të cilët janë përdorues të substancave narkotike,.
Ky trajnim i organizuar nga Shoqata Psiko-Sociale “Alternativa”, në bashkepunim me Zyren për ofrimin e shërbimeve psikologjike “Visar Sadiku B.I.”, është i akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Qasja ndaj përdoruesëve të narkotikëve është një temë e cila globalisht është duke pasur vëmendje të shtuar dhe kjo vie për shkak të numrit në rritje të përdoruesëve të substancave narkotike si dhe gamës së gjerë të narkotikëve, të cilat janë të qasshme tek adoleshentët.
Se çfarë konkretisht përmban ky trajnim dhe cili është qëllimi i realizimit të tij, Radio KFOR-i morri një prononcim nga Specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Visar Sadiku, i cili mes tjerash pohoi:
“Objektivat kryesore të këtij trajnimi janë: Identifikimi i nivelit të varësisë përmes aplikimit të intervistës gjysëm të strukturuar, aplikimi i inventarëve me qëllim të njohjes së problemeve komorbide, identifikimi i shkaqeve psiko-sociale si faktorë precipitues të përdorimit të narkotikëve, aplikimi i teknikave këshilluese me qëllim të shmangies nga përdorimi i substancave dhe aplikimi i aktivizimit bihevioral si strategji e modifikimit të motiveve”,theksoi psikologu Sadiku, duke nënvizuar poashtu se ngritja e këtyre potencialeve do të ndikoj drejtëpërsëdrejti në krijimin e kushteve të favorshme shëndetësore dhe psiko – sociale me potencial të lartë për të reduktuar numrin dhe vetëdijësimin e të rinjëve të cilët mund të kenë kontakt me substancat narkotike dhe referimin e tyre për trajtim të mirëfillt psikologjik.
Pjesemarrës në trajnim mund të jenë studentët dhe të diplomuarit në psikologji, infermieri, edukim (mësuesit) dhe pagesa për pjesëmarrje është 25 euro.
Më shumë detaje rreth trajnimit ”Qasja ndaj të miturve përdorues të narkotikëve dhe teknikat e këshillimit”, mund të kuptoni përmes vegzës së mëposhtme: