Nga java që po e lëmë pas, ka filluar të përflitet se si do të jetë gjenerata e ardhshme e Samsung, e në fokus është modeli ‘Z Flip 4’. Smartphoni i ardhshëm i Samsung, ‘Galaxy Z Flip 4’, pritet të ketë një ekran të jashtëm më të madh në krahasim me paraardhësin e tij. Gjithashtu, thuhet se telefoni do te ketë një bateri të fuqishme me kapacitet 3.400 mAh si dhe do sjell kamera më të mira se sa modeli paraprak.
Të reja javore kemi edhe nga Snapchat, i cili veç të qenit një ndër aplikacionet më të përdorura në botë, po mendon edhe për fotografi të bukura të përdoruesve. Snapchat ka lansuar një aparat fotografik fluturues për të shkrepur fotografi, pa pasur nevojë që përdoruesi ta mbajë atë. Aparati, ndryshe i cilësuar si dron, u emërtua “Pixy”, ndërsa ka ngjyrë të verdhë sikurse Snapchat. “Pixy” shkrep fotografi dhe video derisa fluturon, e më pas nëpërmjet valëve, ato ruhen në aplikacion. Në fund të fluturimit, droni zbret në pëllëmbën e dorës.
Pavarësisht miliona thirrjeve të ekspertëve të sigurisë online, fjalëkalimi ‘123456789’ vazhdon jo veçse të ekzistojë, por edhe është fjalëkalimi më i përdorur nga shefat ekzekutivë të kompanive. Kështu ka raportuar Daily Mail, e cila ka publikuar një hulumtim të ri të bërë nga “NordPass”, ku thuhet se fjalëkalimet më të popullarizuara të përdorura nga shefat ekzekutivë të kompanive janë – “123456” dhe fjala “password”. Ekipi hulumtues ka analizuar të dhënat e 290 milionë shkeljeve të të dhënave në mbarë botën, e në krye te listës gjendet fjalëkalimi “123456”, ku mbi 29 mijë shefa ekzekutivë, e kanë përdorur këtë fjalëkalim.
Kujtojmë që tash e disa vite me radhë, fjalëkalimi ‘123456’, rezulton të jetë më i përdoruri edhe pse në vazhdimësi kanë bërë thirrje ekspertët e sigurisë online, që të jemi shumë të kujdesshëm kur vjen puna tek krijimi i fjalëkalimit, duke marr parasysh që siguria online është një nga sfidat më të mëdha të teknologjisë.