Në nderim të pesë zjarrfikësve të cilët humbën jetën, në mënyrë tragjike, gjatë një zjarri të madh, që kishte ndodhur në vitin 1999, në Australi, data 4 maj u vendos si “Dita Botërore e Zjarrfikësve”. Përveç këtij fakti, kjo ditë shënohet edhe për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth rëndësisë së zjarrfikësve dhe se sa vital janë ata për jetën tonë.
Në Kosovë, zjarrfikësit bëjnë punë të palodhshme edhe pse përballen me sfida të shumta. Nga intervistat e kaluara, ne kemi kuptuar që problem i madh është numri i vogël i zjarrfikësve në raport me numrin e popullsisë së vendit, e megjithatë ata ia dalin të kryejnë punën e tyre me profesionalizëm të lartë.
Këtë ditë të shënuar dhe jo vetëm, duhet ta shfrytëzojmë për t’i falënderuar zjarrfikësit për shërbimin e tyre dhe për të vlerësuar punën e tyre përballë rrezikut. Ndërkohë të mos hezitojmë aspak të lajmërojmë çdo zjarrvënie eventuale, sepse lajmërimi i hershëm ndihmon në stabilizim më të shpejtë të zjarrit.