Me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, procesi edukativo –arsimor në institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve zhvillohet sipas Udhëzuesit të MASHTIT, për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19, me obligimin që të respektohen masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKSHPK.
Udhëzuesi për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla. Brenda një shkolle mund të aplikohet më shumë se një skenar, pra disa klasë mund të punojnë me prezencë fizike dhe orar të plotë (Skenari i Rikthimit), ndërsa ndonjë klasë tjetër online (Skenari C). Task Forca në nivel të MASHTIT, nxorri rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës, përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste: Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase; Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19; Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike. Në çdo situatë duhet marrë parasysh faktin se mësimi online nuk është zëvendësim për mësimin me prezencë fizike, gjë që vlen, në veçanti, për fëmijët e moshave të vogla. Në rast nevoje për organizimin e mësimit online mund të shërbejnë video-mësimet që emetohen në RTK4, çdo ditë pune prej 9-16 h, sipas orarit të hartuar nga MASHTI.