Edhe kjo javë, sa i përket teknologji, ka qenë e larmishme me shumë informacione. Megjithëse ka lëvizje të vazhdueshme. Në mesin e javës, tregu i kriptomonedhave humbi 130 miliardë dollarë, në vetëm 24 orë, ku sipas të dhënave të CoinMetrics, Bitcoin ra me 4%, ndërsa Etherium me 7% .
Lajme të reja na solli edhe kompania amë e Facebook-ut, ku Mark Zuckerberg, javën që po e lëm pas, ka njoftuar se Meta ka zhvilluar një super-kompjuter me Inteligjencë Artificiale dhe më i shpejti në botë. Kompjuteri është ndërtuar për nevoja ‘metaverse’ që kërkon energji enorme elektrike dhe kryen triliona operacione për sekondë.
Përveç kësaj, Meta po vazhdon që të sjell përditësime edhe në aplikacionin WhatsApp, ku bëhet e ditur se është duke punuar në zhvillimin e tiparit, i cili do t’iu mundësojë përdoruesve që të transferojnë historinë e bisedave nga Android tek iOS.
Lajme të reja kemi edhe nga rrjeti social Instagram, i cili po sjellë opsionin për parapagim. Një numër influencuesish, tashmë do të fillojnë të prezantojnë një abonim për të hyrë në përmbajtje shtesë që publikojnë në atë rrjet. Ndjekësit e tyre, të cilët duan të kenë qasje në atë përmbajtje, do të duhet të paguajnë midis 0,99 dhe 9,99 dollarë.