Javën që kemi lënë pas, Huawei na njoftoi për telefonin e parë të palosshëm që po sjell në treg. Fjala është për smartfonin P50 Pocket, i cili fillimisht vjen me sistemin operativ HarmonyOS.
Kjo javë teknologjike na befasoi edhe me lajmin se TikTok do t’i hyjë biznesit të restoranteve. TikTok në partneritet me Virtual Dining Concepts (VDC) pritet të lansojnë aplikacionin TikTok Kitchens, aty ku do të gatuhen recetat më në modë ose më të famshme. Pamundësia për të gjetur një parking në Tokio, së shpejti do të jetë problem i së shkuarës. Të paktën kështu premton skuteri i cili është shpikje e Universitetit të Tokios. I quajtur Poimo, ky skuter që është zhvilluar nga Universiteti Tokios, shfryhet si një tullumbace në rreth 2 minuta dhe vihet në një çantë që mund të mbahet mbi supe.
Java teknologjike kulmoi me çmimin ‘Kompania më e keqe e 2021-tës’, epitet ky që iu dha kompanisë Meta. 12 muaj të trazuar, polemika, ndryshime, gabime të mëdha, keqkuptime të përdoruesve dhe më në fund një ndryshim emri dhe i gjithë markës, i sollën gjigantit të rrjeteve sociale një “çmim” për kompaninë më të keqe në vitin 2021, sipas sondazhit të kryer nga “Yahoo Finance”.
Në fund të çdo viti, Yahoo Finance shpërblen kompaninë më të mirë dhe më të keqe, e më e mira këtë vit është Microsoft, ndërsa Meta fitoi epitetin si më e keqja, në një sondazh ku morën pjese mbi 1 mijë persona.