Situata e qetë me pandeminë në Kosovë, ka krijuar kushte të përmirësimit të vazhdueshëm të aplikimit të skenarit të rikthimit me prani fizike në procesin arsimor. Kështu kanë thënë për Radio KFOR-in nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionet (MAShTI), në një përgjigje me shkrim, teksa kanë cituan Zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Dukagjin Pupovci, i cili javën e shkuar mbajti konferencën e rregullt për media, ku tha: “Fillimisht po ju informoj se, bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Arsimit, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit para universitar në Kosovë, është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, pra sipas skenarit ‘Rikthimi’, që nënkupton prani fizike në shkollë dhe orar të plotë. Procesi po vazhdon të monitorohet dhe të mbështetet nga Task Forcat Komunale dhe Institucionale.”
MAShTI ka ftuar të gjithë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe akterët tjerë të përfshirë në institucione arsimore, që të respektojnë masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në mënyrë që edhe më tutje procesi mësimor të zhvillohet normalisht.